Ashtu sikurse Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, edhe Ambasada Gjermane atje ka mbështetur aksionin e policisë së Kosovës për ndaljen e trenit serb, që synonte të kalonte në Mitrovicë pa marrë leje tek autoritetet kosovare.
“Gjermania e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, kjo vlen për tërë Kosovën, përfshirë edhe veriun e vendit”, ka thënë ambasadorja Angelika Viets.
Teksa ka folur për të drejtën e Kosovës që të vendosë kontroll në kufi, Viets ka komentuar edhe murin ndarës, të vendosur nga autoritetet lokale të Mitrovicës Veriore, me mbështetje të Beogradit. Sipas Viets, Kosovës po i duhet të merret me probleme të cilat i imponohen.
“Si shtet i pavarur, Kosova ka të drejtë t‘i kontrollojë dhe t’i mbrojë kufijtë e vet. Sa i përket murit, më vjen keq që Qeveria e Kosovës duhet vazhdimisht të merret me probleme të cilat i imponohen”, ka theksuar ambasadorja gjermane për Koha Ditore, duke shtuar se shpreson të gjendet një zgjidhje paqësore për murin.











