Presidenti priti sot në një takim të veçantë Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, zotin Vincenzo Amendola, i cili ndodhet në Tiranë në kuadrin e përgatitjeve të Samitit të ardhshëm për Ballkanin Perëndimor e që pritet të zhvillohet në Romë, si vijim i Procesit të Berlinit.
Presidenti Nishani përfitoi nga rasti të rishprehte ngushëllimet për jetët e humbura së fundmi nga orteku i borës në Itali, si dhe solidaritetin e shqiptarëve me Qeverinë dhe popullin italian, që prej disa muajsh po vijon të goditet nga tërmete dhe katastrofa të ndryshme natyrore.
Kreu i Shtetit e vlerësoi angazhimin konkret të Italisë për ta mbajtur rajonin e Ballkanit Perëndimor në fokus të vazhdueshëm të Bashkimit Evropian, si dhe mbështetur rajonin me të gjitha instrumentet e mundshme të në këtë fazë të procesit të integrimit evropian. Presidenti Nishani theksoi se projekti evropian mbetet projekti më i rëndësishëm strategjik për vendin, pasi Shqipëria dhe shqiptarët besojnë në vlerat e këtij projekti.











