Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka bërë të ditur sot se ka ndërprerë Vetting-un për Adriatik Llallën, pak ditë pasi ai refuzoi të marrë një pozicion në Gjykatën e Apelit siç ia jep edhe ligji për Prokurorinë.
“Pasi mori dijeni për dorëheqjen e subjektit të rivlerësimit, z. Adriatik Llalla, më datë 12. 02. 2018, në zbatim të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, vendosi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, Adriatik Llalla. Vendimi do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni në zbatim të afatit të përcaktuar në nenin 55/7 të ligjit nr. 84/2016, ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”, thuhet në njoftimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përbërje të trupës gjykuese për këtë çështje kanë qenë Roland Ilia si kryesues dhe Pamela Qirko e Olsi Komici si anëtarë.













