Si pasojë e reshjeve të dendura që kanë pushtuar mbarë vendin ditën e sotme, situata paraqitet problematike në zonën e Sarandës. Në këtë qytet mësohet se është pezulluar lundrimi në det, ndërsa dallgët arrijnë deri në 7 ballë.
Po ashtu, problematike paraqitet situata edhe në Bashkinë e Delvinës, pasi janë rritur ndjeshëm prurjet e lumit të Kalasës, duke rrezikuar kështu që të shembet ura e Vanës. Kjo urë u inaugurua në ditët e fundit të dhjetorit 2017, nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.
Kryetari i Bashkisë së Delvinës, Rigels Balili tha se po ndërhyhet për të parandaluar prishjen e urës. Ai pohoi se nëse ura shembet, rreth 350 familje do të bllokohen. “Situata është përkeqësuar. Po rrezikohet ura që u inaugurua nga ministrja Xhaçka, por punimit nuk kanë qenë aq të mira. Në fillim të dhjetorit bëmë një ndërhyrje provizore, por nuk e përmirësoi situatën”, tha ai.












