Devi Kasmi, i vrarë natën e kaluar pranë pediatrisë në Tiranë mbante 2.8 kilogram kokainë dhe një automatik me silenciator në shtëpinë e tij. Viktima duket se ishte i përfshirë në trafikun e kokainës jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Spanjë ku jetonte prej vitesh.

Kasmi u ekzekutua natën e kaluar nga dy persona me motor. Dyshimet janë se atentati u organizua nga Domart Konjari një emër i njohur i krimit në Tiranë.

Sipas Policisë, mësohet se mbrëmë rreth orës 18.44 në një rrugicë që lidhet me rrugën Kongresi i Manastirit, në afërsi të Morgut është vrarë me armë zjarri Devi Kasmi, 41 vjeç. Devi Kasmi, është qëlluar me 5 plumba, 4 nga të cilët e kanë prekur në trup dhe i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme ndërkohë vetë viktima kishte dy pistoleta në brez.











