Ismail Kadare ka komentuar vdekjen e shkrimtarit të shquar dhe bashkëkohësit të tij Dritëro Agolli.
“Lajmi i vdekjes së Dritëro Agollit ka qenë një nga njoftimet më tronditëse të këtij dimri, jo vetëm për njerëzit e artit , por për gjithë shqiptarët, kudo ku ata ndodhen. Dritëro Agolli ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë i pazëvendësueshëm në vlerat dhe në dramën hijerëndë të letërsisë shqiptare. Ai do të na mungojë të gjithëve”, tha ai i cituar nga agjencia zyrtare e lajmeve atsh.
Poashtu fill pas lajmit është shprehur edhe shkrimtari Fatos Kongoli.
“Kur rrije me Dritëroin ndiheshe i barabartë. Dritëroi e kishte qejf rakinë, edhe unë gjithë jetën e kam pëlqyer rakinë. E na bashkonte shpesh tavolina e bisedonim. E njoh mirë në këtë drejtim. Agolli ishte një njeri i rrallë. Edhe në veprën e tij”, ka deklaruar Kongoli.











