Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar edhe njëherë emrat e prokurorëve që do ti nënshtrohen të parët procesit të vettingut.
Në Prokurorinë e Përgjithshme u hodh shorti për rivlerësimin kalimtar të prokurorëve mbështetur në ligjin Nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” për procesin e “Vetting”-ut, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Shorti u hodh nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të drejtuesve të Prokurorive të Rretheve Gjyqësorë.

Për secilin prej 11 prokurorëve në short, përzgjidhen 5 dosje nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Procedurën e hedhjes së shortit e mbikqyri kryetari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, znj.Genta Bungo.
Nga hedhja e shortit u përzgjodhën për vijueshmërinë e procesit prokurorët Arben Kraja, Alma Muça, Adnan Xholi, Adnan Kosova, Thoma Jano, Arqilea Koça, Artur Selmani, Sokol Stojani, Anila Leka, Alfred Progonati dhe Kosta Beluri.













