Nga emisioni “360 Gradë” i gazetarit Artur Zheji, moderatori i njohur Blendi Fevziu ka komentuar operacionin “Forca e Ligjit” që do asistohet nga ndërkombëtarët e do të godasë krimin e lidhur me politikën. Fevziu u shpreh besimplotë për zbatimin e reformës në drejtësi, duke dhënë shembuj nga Maqedonia dhe Rumania. Sipas Fevziut “peshqit e mëdhenj” do të goditen nga personazhe të panjohur të sistemit të drejtësisë që do të trajnohen nga amerikanët e që nuk kanë kontakte miqësore me klasën politike apo grupet kriminale. “Këtu ka shumë veta që e dinë kur në Rumani u kalua ajo që quhet një lloj reforme për të goditur, për të ndëshkuar. Pjesa më e madhe e politikës thoshte çfarë do ndodhë, do kalojmë një ligj fundi-fundit, ku do e gjejnë këta, ne prokurorinë dhe gjykatësit i njohim. E njëjta histori ishte edhe në Maqedoni. Çfarë ndodhi? Edhe në Maqedoni, edhe në Rumani kanë gjetur prokurorë që askujt si kishin rënë në sy, femra. I gjetën pikërisht amerikanët, i trajnuan amerikanët. Njerëz që nuk kishin as kontakte miqësore, nuk u gjeje dot as fillin. Kështu që kjo historia s’ka se këta kemi këtu, të jesh i sigurt që do dalin personazhe krejtësisht të panjohur për ne që do fillojnë ta zbatojnë”, deklaroi Fevziu.












