U arreztua pak ditë më parë në Ferrara gjatë një operacioni policor, ku u sekuestruan 2 ton drogë. Roland Rrapaj, 19-vjeçari nga Vlora, ka preferuar të heshtë përballë pyetjeve të autoriteteve italiane dhe gjykatësi pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi ndaj tij masën e arrestit me burg, me akuzën e transportit dhe trafikimit të lëndës narkotike, raportojnë mediat lokale. Së bashku me Roland Rrapaj në bordin e dy furgonave ku u sekuestrua lënda narkotike, po udhëtonin dhe dy trafikantë të tjerë të cilët janë shpallur në kërkim nga policia italiane. Sipas hetimeve, droga e sekuestruar në 90 pako të mëdha në sasinë e 2.041 kg marijuanë e 10 kg hashash do të sillte grupeve kriminale një vlerë përfitimi prej 20 milionë euro. Po sipas autoriteteve italiane, kjo sasi droge kishte mbërritur nga Shqipëria në brigjet e qytetit Ravennate e po transportohej me dy furgona drejt tregjeve ilegale të shitjes në Bologna e në rajonin e Venetos.











