Emal Abule
Çështja që lidhet me lirimin nga sekuestro të pronave të Emal Abules e miqve të tjerë të Erion Veliaj mund të jetë një histori tjetër e madhe korrupsioni ku ligji paketohet sipas interesave.
Pas vendimit të gjyqtarit Altin Abdiu që i liroi pronat pritej të kishte ankimim nga prokuroria e Tiranës. Por kjo nuk ka ndodhur. Prokuroria e Tiranës nuk ankimoi vendimin filantrop të gjykatës së Tiranës, duke i dhënë vendimit të Abdiut një formë të prerë.
“Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, mori në shqyrtim kërkësn e Prokurorisë për vendosjen e sekuestros ndaj shoqërive të personave nën hetim Emal Abule, Kristian Boçi, D. B., etj., fillimisht është gjykuar nga gjyqtarja L.Ç., e cila në përfundim të gjykimit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros.
Mbi bazën e ankimit që kanë bërë personat nën hetim, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur:
“Prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim me tjetër trup gjykues…”
Gjithashtu mbi bazën e rekursit të bërë nga të hetuarit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur “Mospranimin e rekursit...”
Më pas kërkesa e prokurorisë për vendosjen e sekuestros e kthyer për rigjykim i është caktuar me short elektronik gjyqtarit Altin Abdiu, i cili në zbatim dhe të orientimeve të vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në përfundim të gjykimit në “Dhomë këshillimi” ka vendosur,rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Ky vendim i gjyqtarit nuk është ankimuar nga prokurorja e çështjes dhe vendimi ka marrë formë të prerë më datë 17.10.2025”, thuhet në njoftimin e gjykatës së Tiranës së shkallës së parë.
Pra heqja e sekuestros është rrëzuar njëherë nga Gjykata e shkallës së parë, me pas në Apel është rrëziar vendimi i gjykatës së shkallës së parë. Ndërkohë Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e palës së pronave, dhe në herën e dytë të gjykimit të shkallës së parë është rrëzuar vendimi i parë i gjykatës së Shkallës së Parë. Dhe në finale ata që e nisën këtë histori sekuestrimi, Prokuroria e Tiranës, dhe duhej ta mbronin atë kur edhe Gjykata e Lartë kishte një vendim për mbajtjen e sekuestros, i ka futur një dorë mirësie ndaj Abules e miqve duke mos e bërë apelimin.
Gjejeni ku fle lepuri, se ne e dimë se fle në dy zyra të paktën. a.b













