Balluku gjatë një konference në 2021 për rritjen e cilësisë së jetës në vend.
Zbardhen detaje të reja nga dosja hetimore ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar autorizim nga Kuvendi për arrestim. Në dosje përfshihen komunikime mes Ballukut dhe ish-vartësit të saj, Evis Berberi, ish-kreu i ARRSH-së, ku ajo e informon se ka zhvilluar një takim me biznesmenin Ramë Geci, me kërkesë të kryeministrit Edi Rama.
Sipas materialeve hetimore, pas këtij takimi kompania e Ramë Gecit ka rezultuar fituese e një tenderi publik. Këto komunikime janë pjesë e dosjes që SPAK i ka dorëzuar Kuvendit, në kuadër të kërkesës për arrestimin e zv.kryeministres.
Nga komunikimet e zbardhura rezulton se më datë 13:49, Belinda Balluku i dërgon mesazh Evis Berberit: “KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”. Dy minuta më pas, Berberi i përgjigjet përmes aplikacionit “Signal Private Messenger”, duke i shkruar se e kishte takuar dhe se kishte qenë në kantier, ku kishte bërë një inspektim në të gjithë unazën.
Në vijim të bisedës, Balluku shprehet se ndodhet në shtëpi për shkak të një viroze, ndërsa diskutimi vijon mbi projektin dhe vlerën e tij. Berberi përmend se bëhet fjalë për një projekt rreth 10 milionë euro pa TVSH, ose rreth 15 miliardë lekë.
SPAK sqaron se nga hetimi ka rezultuar se Autoriteti Rrugor Shqiptar, më datë 15.09.2021, ka shpallur procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano–Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”. Ndërsa në Buletinin nr. 167, datë 22.11.2021, të Agjencisë së Prokurimit Publik, është publikuar njoftimi mbi vlerësimin e ofertave, ku rezulton se është kualifikuar oferta e shoqërisë “Geci” sh.p.k. a.b










