Momenti i arrestimit
Goditet një grup i strukturuar i shpërndarjes së drogës në Tiranë.
Pas katër javësh hetime intensive, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Labirinti 2”, duke goditur një grup kriminal të përfshirë në shitjen e lëndëve narkotike në disa zona të kryeqytetit.
Si rezultat i hetimeve janë identifikuar 33 shtetas, pjesëtarë të këtij grupi kriminal, të cilët vepronin individualisht ose të organizuar në grupe, duke ushtruar veprimtari të paligjshme të shpërndarjes së narkotikëve në forma të ndryshme.
“Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 22 persona, ndërsa 5 shtetas janë arrestuar gjatë periudhës hetimore. Vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë, të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti kriminal dhe të shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit u sekuestruan:
- rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë;
- 10 kg Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde;
- 5 automjete;
- 28 telefona celularë;
- 6 peshore elektronike;
- rreth 3 000 euro.
Në kuadër të operacionit u ekzekutua masa e sigurisë “arrest në burg” për shtetasit:
R. D., 32 vjeç; E. P., 33 vjeç; A. H., 43 vjeç; O. M., 32 vjeç; F. C. (Ç), 34 vjeç; Xh. B., 31 vjeç; L. M., 23 vjeç; A. P., 47 vjeç; E. S., 39 vjeç; B. M., 34 vjeç; G. V., 39 vjeç; V. B., 19 vjeç; O. H., 35 vjeç; D. A., 39 vjeç; A. M., 23 vjeç; M. M., 19 vjeç; J. H., 29 vjeç; E. Gj., 31 vjeç; A. B., 20 vjeç; K. Rr., 27 vjeç; I. N., 22 vjeç dhe G. K., 20 vjeç.
Ndërkohë, gjatë fazës hetimore janë arrestuar edhe shtetasit:
A. V., 23 vjeç; E. P., 22 vjeç; G. V., 19 vjeç; S. C., 22 vjeç dhe R. Gj., 22 vjeç, të cilëve u janë sekuestruar sasi të ndryshme lëndësh narkotike”, njoftoi policia e Tiranës.
Sipas hetimeve, aktiviteti kriminal shtrihej në disa zona të Tiranës, kryesisht në Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit.
Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa puna vijon për kapjen e personave në kërkim dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. a.b











