Pamje filmike që dokumentojnë takimet e Ergys Agasit me Ermal Beqirin dhe Mirlinda Karçanajn
Në dosjen hetimore të AKSHI-t janë administruar pamje filmike që dokumentojnë disa takime mes Ergys Agasit, biznesmenit Ermal Beqiri dhe drejtoreshës së këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj. Sipas SPAK, të tre dyshohet se janë të përfshirë në një grup të strukturuar kriminal.
Pamjet janë regjistruar nga vetë Ergys Agasi, përmes një kamere sigurie të instaluar në zyrën e tij, e cila ishte e lidhur edhe me telefonin celular. Këto regjistrime janë bërë pjesë e provave të sekuestruara nga organet e drejtësisë.

Sipas dosjes hetimore, në ambientet e zyrës së Agasit janë zhvilluar dhjetëra takime gjatë vitit 2023 dhe më pas, ku janë diskutuar çështje të ndryshme me interes për hetimin. Në një nga bisedat e dokumentuara, Ermal Beqiri i drejtohet Ergys Agasit me fjalët: “Informacioni është gjë shumë më e madhe sesa numrat”, ndërsa Agasi reagon duke thënë “Ue”.
Në një tjetër episod të regjistruar, Beqiri shprehet: “Ça me i bo atit…”, ndërsa Agasi i përgjigjet: “Nuk e diskutoj fare o burrë, tashi jemi goxha shumë shumë lart”.
Në një takim tjetër, ku e pranishme është edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasi dëgjohet teksa thotë se është përgatitur një kallëzim penal për një person të quajtur Nardi, për nxjerrje sekreti, duke vijuar më pas me shpjegime mbi zhvillimin e situatës.
Sipas pamjeve filmike, ky takim është zhvilluar më 16 mars 2024, rreth orës 20:05. Pas përfundimit të bisedës, drejtoresha e AKSHI-t largohet nga ambientet e zyrës.
Pamjet dhe transkriptet e bisedave janë pjesë e dosjes hetimore të SPAK. a.b










