Klodian Braho mori zyrtarisht drejtimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, duke pasuar Altin Dumanin dhe duke u bërë drejtuesi i tretë i SPAK-ut.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar sot, Braho falënderoi Këshillin e Lartë të Prokurorisë për besimin e dhënë, duke e cilësuar marrjen e kësaj detyre si një përgjegjësi të lartë institucionale. Ai theksoi se drejtimi i SPAK-ut nuk është vetëm një moment simbolik, por një angazhim i drejtpërdrejtë për respektimin e Kushtetutës dhe ligjit, mbrojtjen e pavarësisë së institucionit dhe forcimin e besimit të qytetarëve.
Braho nënvizoi gjithashtu rolin vendimtar të mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë në konsolidimin e SPAK-ut si një strukturë e qëndrueshme e ndjekjes penale.
Në fjalën e tij, ai vlerësoi kontributin e dy drejtuesve të mëparshëm, Arben Kraja dhe Altin Dumani, duke theksuar se Kraja dha një rol kyç në fazën e ngritjes së institucionit, ndërsa Dumani e forcoi më tej profilin e SPAK-ut me guxim dhe integritet, duke rritur besimin e publikut.
Duke shpalosur pikat kryesore të platformës së tij, Braho deklaroi se fokusi i mandatit të tij do të jetë forcimi i funksionimit të brendshëm të institucionit, respektimi rigoroz i standardeve ligjore dhe garantimi i pavarësisë së prokurorëve të posaçëm. Ai theksoi rëndësinë e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe sektorit të hetimit financiar si shtylla themelore të SPAK-ut, si dhe nevojën për një bashkëpunim të ngushtë e të bazuar në besim mes prokurorëve dhe hetuesve, me synimin për hetime më cilësore dhe rezultate konkrete.
Në përfundim, Braho u shpreh se SPAK-u do të vijojë të komunikojë në mënyrë transparente me median dhe publikun, duke respektuar kornizën ligjore, dhe se misioni i institucionit shkon përtej mandateve individuale, duke kërkuar punë ekipore dhe përkushtim në shërbim të Kushtetutës dhe qytetarëve shqiptarë. a.b










