Një akt puçist antikushtetues i Ramaduros, e ka konsideruar sot Partia Demokratike vendimin e Ramës për të bllokuar vendmarrjen e Parlamentit për arrestimin e Ballukut.
“Edi Rama, në një akt puçist antikushtetues, njoftoi sot bllokimin e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres së tij, Lubi Balluku, sipas tij deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai shpalli këtë vendim pasi urdhëroi Peleshin dhe Ballën të ndërprisnin brutalisht, pa asnjë shkak, shqyrtimin në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut.
Ky është një akt tjetër tepër i rëndë, puçist dhe antikushtetues, një bllokim me çdo kusht i drejtësisë dhe i vendimeve të saj, një mbrojtje me çdo kusht e bashkëvjedhëses së tij, Lubi Ballukut, me 300 apartamente, 2 jahte dhe 14 supermarkete, etj., etj. Është një përpjekje e hapur për t’i krijuar kushte delinkentes Balluku që të prishë, fshehë dhe manipulojë çdo provë, si dhe të frikësojë, dhunojë apo blejë çdo dëshmitar.
Kërkesa për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut nuk ka absolutisht asnjë lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi i Prokurorisë për arrestimin e Ballukut bazohet në fakte dhe dokumente të vjedhjeve mbi 1.2 miliardë euro, bazohet në hetimin e aferave të tjera si Unaza e Madhe e Tiranës me 450 milionë euro vjedhje, si dhe në gjetjen e 300 apartamenteve, dy jahteve dhe 14 supermarketeve të të pangopurës së tij, Lubi.
Me këtë akt puçist dhe antikushtetues, Edi Rama jo vetëm bllokon pushtetin gjyqësor, por merr gjithashtu pushtetin e Parlamentit, duke asgjësuar de facto këtë institucion, pasi Rregullorja dhe Kushtetuta e tij, në nenin 118, “për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit me burg apo në shtëpi për ministrat dhe deputetët”, detyron Parlamentin dhe Këshillin për Imunitetin dhe Mandatet të shqyrtojë menjëherë kërkesën e Prokurorisë dhe ta përfundojë brenda dy javëve raportin për ta paraqitur si pikë të parë të rendit të ditës në seancën e parë plenare pasardhëse”, thekson ndër të tjera deklarata e PD. a.b












