Arjan Ndoja në një nga vajtjet në SPAK
Gjykata e Posaçme urdhëron SPAK-un të nisë hetimet ndaj deputetit demokrat Arjan Ndoja për “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”
Gjykata e Posaçme ka vendosur t’i kthejë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) një dosje që lidhet me deputetin e Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, duke urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj tij për dyshimet mbi dy vepra penale: “pastrim parash” dhe “fshehje ose mosdeklarim pasurie”.
Vendimi u mor nga gjyqtari Erjon Çela, i cili shqyrtoi çështjen e procedimit penal nr. 1804 të vitit 2023, të ardhur për kompetencë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Gjyqtari konstatoi se kërkesa fillestare e Prokurorisë së Tiranës për pushimin e hetimeve ishte absolutisht e pavlefshme, duke vlerësuar se gjatë procesit, subjektit të hetuar i ka ndryshuar statusi – nga person në hetim, në deputet në detyrë.
Pikërisht për këtë arsye, gjykata argumenton se kompetenca për hetimin e një deputeti i takon SPAK-ut, si prokuroria e posaçme e ngarkuar me çështjet që përfshijnë zyrtarë të lartë.
Në vendimin e saj, Gjykata e Posaçme: Konstaton pavlefshmërinë e kërkesës për pushimin e hetimit për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës penale dhe mosdeklarimit apo fshehjes së pasurisë; Vendos kthimin e akteve te SPAK për të vijuar hetimet, si organi që ka kompetencën lëndore për çështjet që përfshijnë deputetë; Parashikon se vendimi mund të ankimohet në Apelin e Posaçëm brenda 15 ditëve nga njoftimi.
SPAK pritet të regjistrojë procedimin penal dhe të nisë hetimet mbi pasurinë dhe aktivitetet financiare të Arjan Ndojës, në kuadër të çështjes së hapur në vitin 2023. a.b











