Agjente te AMP ne nje aksion
Dy punonjës policie të Komisariatit të Policisë nr. 3 në Tiranë janë ndaluar, pasi dyshohet se kanë ndihmuar shtetasin Muçi Shaljani, i njohur edhe si Sheqeri, të punësohej në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Sipas burimeve zyrtare, të ndaluar janë Bruno Cara dhe Arshim Zajmi, të dy me detyrë nën/specialistë të Policimit në Komunitet. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave, stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Njoftimi i AMP-së
Në vijim të hetimeve për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë pranë rrethrrotullimit të aeroportit “Nënë Tereza”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bëri me dije se pas veprimeve hetimore paraprake janë ndaluar nënkomisari B.C., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve, dhe inspektori A.Z., me detyrë nën/specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit nr. 3.
Sipas AMP-së, dy punonjësit e ndaluar dyshohet se kanë përpiluar në mënyrë të parregullt “Vërtetimin e Besueshmërisë” për shtetasin M.Sh., duke mos pasqyruar në dokument të dhëna që përbënin pengesë për përmbushjen e kushteve të sigurisë. Këto veprime kanë lejuar punësimin e tij pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në kundërshtim me ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe aktet e tjera që rregullojnë funksionimin e agjencive ligjzbatuese.
Nga verifikimet e kryera paraprakisht nga AMP-ja, u konstatuan shkelje të procedurave ligjore gjatë procesit të rekrutimit të shtetasit në fjalë. Dosja është dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të përcaktuar grupin hetimor dhe përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë në paligjshmëri.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të procedurave të ndjekura dhe identifikimin e mundshëm të personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.











