Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në pesë bashkitë e vendit, ku të dielën u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme lokale.
Në të gjitha bashkitë — Tepelenë, Vlorë, Mat, Cërrik dhe Berat — fitues rezultuan kandidatët e Partisë Socialiste.
Rezultatet sipas bashkive:
Vlorë
Pas numërimit të 231 kutive të votimit, fituese në Bashkinë e Vlorës u shpall kandidatja e PS, Brunilda Mersini, me 78.4% të votave (15,672 vota).
Kandidati i mbështetur nga opozita, Dionis Sota, mori 2,333 vota (11.7%), ndërsa kandidati i pavarur Gjergj Nika siguroi 1,975 vota (9.9%).
Cërrik
Në këtë bashki, pas numërimit të 57 kutive, fitues u shpall kandidati socialist Florenc Doka, me 66.22% të votave (6,201 vota).
Kandidati i pavarur Amarildo Hoxha, i mbështetur nga PD, mori 1,888 vota (20.16%), ndërsa Eligerti Hima nga nisma “Shqipëria Bëhet” mori 1,275 vota (13.62%).
Berat
Në Bashkinë e Beratit, fitues doli kandidati i PS-së Ervin Ceca, me 13,050 vota, duke lënë pas me diferencë të madhe kundërshtarin Pavllo Shkarpa, i cili mori vetëm 2,607 vota.
Tepelenë
Kandidati socialist Gramos Sako u shpall fitues me 3,261 vota (77.8%), kundrejt Gabriel Gumës, i cili mori 928 vota (22.2%).
Mat
Në Bashkinë e Matit, gjithashtu fitues është kandidati i PS-së Altin Bojni me një avantazh të theksuar duke vijuar trendin e rezultateve në favor të socialistëve në të gjitha pesë bashkitë.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja e përgjithshme në këto zgjedhje ishte 18.72%, një nga më të ulëtat në proceset zgjedhore të viteve të fundit.
Pjesëmarrja sipas bashkive ishte si më poshtë:
- Berat – 19.98%
- Vlorë – 12.54%
- Cërrik – 25.00%
- Mat – 39.36%
- Tepelenë – 34.63% a.b











