Kryesia e Kuvendit
Partia Demokratike ka vendosur që deputetët e saj të mos marrin më pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Vendimi është komunikuar nga kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, përmes një mesazhi drejtuar deputetëve demokratë.
Në mesazh, Bardhi thekson se askush nuk duhet të mungojë në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, e cila do të zhvillohet të hënën, më 10 nëntor 2025, në orën 12:30.
Në vijim, ai sqaron se, derisa të mblidhet dhe të vendosë grupi parlamentar, asnjë deputet nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare në Kuvend. Sipas tij, kjo është një masë e përkohshme që vjen pas “pamundësimit nga mazhoranca të funksionimit normal të jetës parlamentare dhe mohimit të disa të drejtave themelore kushtetuese të opozitës”.
“Nesër, e hënë, derisa të jetë mbledhur dhe të ketë vendosur grupi parlamentar, asnjë deputet nuk merr pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Ky do të jetë një reagim i përkohshëm i grupit parlamentar nisur nga situata e krijuar në seancën e fundit, derisa të merret një vendim final,” – shkruan Bardhi në mesazh. a.b











