Drejtësi e munguar, shqiptarët presin 16 vite për një proces gjyqësor, dhe kjo ka si pasojë vetëgjyqësinë, deklaroi sot kreu i PD, Sali Berisha.
”Qytetarët e një vendi kanë të drejta themelore dhe njëra prej tyre është procesi gjyqësor i drejtë. Si në asnjë vend tjetër të planetit, presin sipas zyrtarëve të këtyre institucioneve, 16 vite për një proces gjyqësor, dhe kjo ka si pasojë vetëgjyqësinë.
Kur mendoj se ky mohim i kësaj të drejte ka sjellë 643 raste të regjistruara vetëgjyqësie, ka sjellë 180 vrasje, ka sjellë 220 plagosje, ka sjellë qindra vepra të tjera penale.
Kur mendoj unë se kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deklaron me përgjegjësi të plotë se nga një vit në vitin tjetër, afati 16 vjetor, është shkurtuar vetëm me 16 ditë ju garantoj se shqiptarët dhe qytetarët e botës në çdo vend, qoftë dhe në diktaturë, janë më të përfillur nga drejtësia e tyre se sa në Shqipëri. Drejtësi e munguar.
Drejtësia 16 vjet në pritje, është drejtësi që mungon, drejtësi që krijon ato shpërthime që ne pamë nga ekzekutimi publik në sallën e gjyqit të gjykatësit, që kurrë nuk pranohet sigurisht.
Pra kemi të bëjmë me mohimin e një të drejte që shqiptarët e kanë gëzuar që nga koha kur janë ndarë nga shoqëria para shtetërore.
Edhe në perandorinë otomane e kanë gëzuar, ka qenë ligji perandorak. Edhe në kohën e principatave e kanë gëzuar. Edhe gjatë diktaturës e kanë gëzuar. Sot nuk e gëzojnë dot”, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në Parlament. m.k










