Partitë politike kanë miratuar variantin përfundimtar për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Sipas vendimit, komisioni do të përbëhet nga 16 anëtarë: 7 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, 7 nga Partia Demokratike dhe 2 nga partitë që kanë fituar të paktën dy mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Emrat e anëtarëve do të caktohen me vendim të Kuvendit.
Në mbledhjet e komisionit do të mund të marrin pjesë, pa të drejtë vote, edhe deputetë të partive të tjera parlamentare, të cilët do të kenë mundësi të paraqesin propozime për ndryshime në legjislacionin zgjedhor. Qëllimi kryesor i vendimmarrjes do të jetë arritja e një konsensusi të gjerë për çdo propozim.
Vendimet do të konsiderohen të miratuara kur marrin shumicën e votave të të gjithë anëtarëve dhe njëkohësisht miratimin e dy bashkëkryetarëve të komisionit.
Komisioni do të ushtrojë veprimtarinë e tij për një periudhë 9-mujore nga data e miratimit të vendimit. Nëse do të jetë e nevojshme, me kërkesë të arsyetuar të bashkëkryetarëve, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit përmes një vendimi të veçantë. a.b










