Imran Hosein
Një person i konsideruar i rrezikshëm për sigurinë kombëtare, i dyshuar për lidhje me veprimtari terroriste, është ndaluar këtë pasdite në aeroportin e Rinasit, teksa po tentonte të hynte në territorin e Shqipërisë.
Sipas informacioneve të Top Channel, bëhet fjalë për predikuesin fetar Imran Hosein, i cili ishte nisur nga Trinidad & Tobago, në Amerikën e Jugut, drejt Shqipërisë, për një vizitë me karakter fetar. Megjithatë, autoritetet e sigurisë kishin marrë më herët të dhëna që e lidhin atë me akte të mundshme terrorizmi, ndaj policia kufitare vendosi të mos lejojë hyrjen e tij në vend.
Aktualisht, Hosein po mbahet në zonën tranzitore të aeroportit të Rinasit, deri në përfundimin e procedurave për rikthimin e tij në vendin e origjinës.
Imran Hosein është një studiues dhe predikues islam nga Trinidad & Tobago, i njohur për analizat e tij mbi eshatologjinë islame (shenjat e fundit të botës) dhe komentet mbi çështjet politike dhe ekonomike globale në dritën e Kuranit. Ai është gjithashtu autor librash dhe ligjërues ndërkombëtar për temat që lidhen me fenë, ekonominë islame dhe ngjarjet bashkëkohore. r.k










