Ekipi i vëzhguesve ndërkombëtarë
Misioni i OSBE/ODIHR publikon raportin përfundimtar për 11 majin, duke shçbuar rekordin më të keq të zgjedhjeve në Shqipëri më 35 vitet e fundit.
Raporti konstaton se zgjedhjet u dominuan nga partia-shtet e cila krijoi një avantazh të padrejtë, ndërkohë që gara ishte e pabarabartë. Raporti ka theksuar blerje masive votash, për shantazhe dhe për kërcënime të cilat u bënë nga patronazhistët dhe krimi i organizuar.
Për më tepër, legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i tij i ngushtë nga administrata zgjedhore nuk parandaloi praktikat abuzive.
Përqendrimi i pronësisë së mediave, që dobëson pluralizmin e burimeve të lajmeve, së bashku me vetë-censurën ndër gazetarë dhe mbizotërimin e dy partive më të mëdha në mbulimin e lajmeve, e kufizoi mundësinë e votuesve për të bërë një zgjedhje të informuar. Përdorimi aktiv i rrjeteve sociale nga konkurrentët amplifikoi diskursin e fortë konfrontues, dhe nuk u caktua asnjë autoritet për të zbuluar përmbajtje manipulative të dëmshme.
Mekanizmi i ri i koordinimit midis institucioneve për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore është një zhvillim i mirëpritur, por duhet të ketë vijimësi për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme për keqpërdorime zgjedhore.
Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe e organizuar mirë, por shpesh mungonte respektimi i procedurave, dhe u karakterizua nga një numër incidentesh intimidimi dhe stimujsh ndaj votuesve, si dhe disa mangësi procedurale dhe transparence gjatë numërimit të votave”, thuhet në raport.
“Votuesit kishin zgjedhje midis alternativave politike dhe konkurrentët përgjithësisht gëzonin liri fushate, por fusha e lojës ishte e pabarabartë, me partinë në pushtet që përfitonte nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe ndikimi institucional, duke shkrirë linjën midis shtetit dhe partisë.
U vunë re akuza për presion mbi punonjësit publikë, raste intimidimi ndaj mbështetësve të opozitës dhe keqpërdorim i rrjeteve të patronazhit, gjë që është e papajtueshme me standardet ndërkombëtare.
Çështje të tjera shqetësuese përfshinin raporte për blerje votash, përpjekje për të ndikuar padrejtësisht votuesit e cenueshëm dhe ndikimin e dyshuar të elementeve kriminale mbi zgjedhjet në disa zona të vendit,” thekson më tej raporti.
“Fushata në rrjetet sociale nuk ishte e rregulluar dhe nuk u caktua asnjë autoritet për ta monitoruar atë. Megjithëse shumica e partive politike nënshkruan një Kod të Sjelljes për Fushatat Digjitale, disa konkurrentë shpërndanë përmbajtje ndarëse ose manipulative, ndërsa llogari të palëve të treta raportohet se përdorën sjellje të koordinuar joautentike në platformat online për të amplifikuar sulmet ndaj opozitës. Konkurrentët përdorën aktivisht Facebook dhe Instagram.
Ndërkohë, ndalimi i TikTok nga qeveria më 6 mars 2025 e kufizoi mundësinë e disa kandidatëve për fushatë. Edhe pse KQZ identifikoi shkelje në postimet e institucioneve publike, ndaloi hetimet në disa raste, dhe përpjekjet e saj të monitorimit mbetën të kufizuara në shkallë dhe efektivitet,” raporton OSBE/ODIHR. a.b











