Forumi i Grave të Partisë Popullore Europiane (EPP Women) ka miratuar një rezolutë historike kundër dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike, një dokument i hartuar me nismën e Albana Vokshit, zëvendëspresidente e këtij grupimi dhe kryetare e LDG-së në Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Kjo rezolutë, e konsideruar si një akt paralajmërimi për Bashkimin Europian, denoncon dhunën politike dhe seksiste ndaj grave si një kërcënim të drejtpërdrejtë për demokracinë dhe për zgjedhjet e lira. Në qendër të dokumentit është përfshirë rasti i kërcënimeve dhe sulmeve ndaj Albana Vokshit gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit 2025 në Shqipëri, duke e kthyer atë në një shembull europian të dhunës politike ndaj grave.
Rezoluta thekson se dhuna ndaj grave nuk është vetëm “çështje gjinore”, por një sulm sistematik ndaj demokracisë, që synon të largojë nga jeta publike gratë me integritet dhe të favorizojë rrjete politike dhe kriminale që shkatërrojnë vlerat demokratike.
Në dokument renditen një sërë rastesh konkrete nga Shqipëria, përfshirë kërcënimet ndaj Vokshit dhe familjes së saj, fyerjet seksiste ndaj kandidateve opozitare dhe sulmet verbale nga Kryeministri Edi Rama ndaj grave në politikë, si dhe raste të dhunës ndaj grave në sistemin e drejtësisë, të cilat janë shkarkuar pasi nuk kanë zbatuar urdhra politikë.
Duke u nisur nga rasti shqiptar, por duke përfshirë edhe situata të ngjashme në Gjeorgji dhe disa vende të tjera europiane, rezoluta paralajmëron se “këto praktika krijojnë një efekt frikësues: gratë hezitojnë të shprehin mendime ose të marrin pjesë në jetën publike nga frika e sulmeve dhe ndëshkimeve, duke minuar vetë bazat e demokracisë”.
Sekretarja e Përgjithshme e EPP, Dolors Montserrat, në një deklaratë të fortë, tha:
“Kur gra si Albana Vokshi kërcënohen nga krimi i organizuar në Shqipëri apo kur gazetare në Gjeorgji akuzohen, kjo nuk është çështje grash. Është rrëmbim i demokracisë duke përdorur gratë si peng. Ne nuk i fituam të drejtat tona për t’i humbur ato në heshtje.”
Rezoluta e EPP Women përmban një plan konkret me 12 pika, që synon të detyrojë institucionet europiane të reagojnë ndaj rasteve të dhunës politike ndaj grave. Dokumenti prek drejtpërdrejt edhe Shqipërinë në tre drejtime kryesore:
- Dënimin e të gjitha formave të dhunës dhe frikësimit ndaj grave në politikë, përfshirë rastet kur ato kryhen ose tolerohen nga zyrtarë shtetërorë apo grupe kriminale;
- Integrimin e sigurisë së grave në politikë si kriter në procesin e zgjerimit të BE-së;
- Hetimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre krimeve, përfshirë përfaqësues të pushtetit të lidhur me krimin e organizuar.
Në komentet e saj, Albana Vokshi e cilësoi këtë rezolutë si “një hap vendimtar në mbrojtje të demokracisë europiane dhe të grave që guxojnë të mendojnë ndryshe”:
“Thirrja drejtuar institucioneve europiane është e qartë: të mos tolerojnë dhunën politike si mjet për të dobësuar opozitën dhe demokracinë. Nëse dhuna ndaj grave në politikë tolerohet, demokracia mbetet vetëm në letër. Ky dokument është një apel që Bashkimi Europian të jetë më kërkues ndaj standardeve demokratike në vendet kandidate si Shqipëria.”
Forumi i EPP Women, që u zhvillua në Larnaka, Qipro, e konsideroi këtë rezolutë si një test për vlerat mbi të cilat ngrihet Bashkimi Europian, duke theksuar se mbrojtja e grave në politikë është tashmë një çështje thelbësore për të ardhmen e demokracisë europiane. a.b










