Një avokat u arrestua sot në Elbasan pas një debati mes tij dhe prokurorit të çështjes në sallën e gjyqit një ditë më parë cfarë ka sjellë edhe reagimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Në një njoftim për media, Dhoma e Avokatisë dënon me forcë ndalimin e Barjamit, duke theksuar se “një përballje e armëve të barabarta në sallën e gjykimit, sipas ligjit, është shndërruar në abuzim të atributeve të prokurorit”.
Sipas deklaratës, avokati Barjami, anëtar i Dhomës së Avokatisë së Tiranës, është arrestuar për shkak të deklarimeve të tij brenda sallës së gjyqit ku kishte njoftuar se do të bënte kallëzim penal ndaj prokurorit për falsifikim provash.
Kjo deklaratë, sipas Dhomës, është trajtuar në mënyrë arbitrare si kanosje dhe kundërshtim i prokurorit.
“Kemi të bëjmë me arrestimin e një avokati për shkak të ushtrimit të fjalës së lirë dhe detyrës së tij ligjore në mbrojtje të klientit. Është e papranueshme që një avokat të prangoset për shkak se ka shprehur mendimin e tij për falsitetin e një prove,” thuhet në reagim.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë u bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme të ndërhyjnë menjëherë për të hetuar këtë rast, të cilin e cilëson një shembull të qartë arbitrariteti dhe cënimi të shtetit të së drejtës.
Sipas njoftimit, incidenti ka ndodhur më 17 tetor 2025, gjatë një seance në Gjykatën e Shkallës së Parë të Elbasanit, e drejtuar nga gjyqtarja Megi Strakosha, ku prokuror ishte Gjergji Ceka.
Avokati Barjami, duke kundërshtuar një provë video që sipas tij përgënjeshtronte akuzat ndaj klientit, deklaroi se do të kallëzonte prokurorin për falsifikim të procesverbalit.
Në reagim, prokurori Ceka sipas Dhomës së Avokatisë i është drejtuar avokatit me fjalët: “Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh!”.
Megjithëse seanca përfundoi normalisht, të nesërmen, më 18 tetor, Barjami është thirrur nga policia në Elbasan “për sqarime” dhe më pas është ndaluar zyrtarisht rreth orës 15:00, me akuzat për:“Kanosje për shkak të detyrës”, “Kundërshtim dhe goditje të gjyqtarit”, dhe “Kanosje të gjyqtarit”.
Dhoma e Avokatisë thekson se ndalimi është kryer në kundërshtim me ligjin dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të avokatit Ulian Barjami. m.k











