Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka shënuar sot dyvjetorin e themelimit me një ceremoni festive ku morën pjesë themelues, anëtarë dhe mbështetës nga Shqipëria dhe diaspora.
Në fjalën e tij, kreu i lëvizjes Adriatik Lapaj kujtoi fillimet e këtij rrugëtimi, që nisi nga një grup prej 25 personash të bindur se ndryshimi në vend është i mundur. Ai pranoi se gjatë këtyre dy viteve nuk kanë munguar gabimet, por theksoi se ato janë dëshmi përpjekjeje dhe jo dështimi.
“Dy vite më parë, nga Mirdita e vlerave nisëm një rrugëtim idealesh. Ishim 25 ëndërrimtarë që i hymë detit në këmbë. Në 18 muaj organizuam dhjetëra takime brenda dhe jashtë vendit. Gabimet tona janë prova se jemi gjallë dhe nuk kemi hequr dorë,” — u shpreh Lapaj.
Në vijim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos dorëzohen përballë vështirësive dhe të besojnë në fuqinë e ndryshimit.
“Guxoni të mos ndaloni dhe të shkundni këdo që mendon se nuk ka shpresë. Sa më shumë na lufton sistemi, aq më shumë duhet të luftojmë. Nga guximi juaj sot, mund të qeshin fëmijët nesër,” — tha ai.
Lapaj e mbylli fjalën me një mesazh frymëzues, duke theksuar se ndërtimi i një Shqipërie ndryshe kërkon përpjekje, vullnet dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen.
“Shqipëria mund të ndërtohet ndryshe, përmes përpjekjes, vullnetit dhe vizionit të përbashkët për një të ardhme më të mirë,” përfundoi Lapaj.











