Akademia e Forcave të Armatosura ka reaguar këtë të premte pas disa raportimeve mediatike që përmendnin pagesa të dyshuara ndaj Presidentit të Republikës dhe njëkohësisht Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj.
Në një deklaratë zyrtare, institucioni mohon kategorikisht çdo akuzë, duke sqaruar se bëhet fjalë për detyrime të prapambetura financiare ndaj stafit akademik të angazhuar në kërkime shkencore gjatë viteve 2013–2018.
Sipas Akademisë, Begaj, në cilësinë e mjekut ushtarak, ka qenë pjesë e ekipeve shkencore të asaj periudhe, duke udhëhequr disa tema doktorature në bashkëpunim me një grup prej 15 profesorësh. Po ashtu, theksohet se pagesat janë kryer në përputhje me ligjin për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, si dhe janë shpërndarë në mënyrë të barabartë për të gjithë personelin e përfshirë.
“Pagesat janë realizuar gjatë viteve 2022–2024, ndërsa dokumentacioni financiar dhe administrativ është i plotë dhe i verifikueshëm nga çdo institucion kompetent”, thuhet në reagimin e AFA-së.
Institucioni thekson se procesi ka qenë irregullt dhe transparent, duke ftuar organet përgjegjëse të kryejnë çdo verifikim të nevojshëm. a.b










