Kryesia e Kuvendit
Partia Demokratike ka paraqitur kërkesa për ndryshime në vendimet që lidhen me ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale. Demokratët theksojnë se këto dy reforma janë themelore për funksionimin e shtetit dhe kërkojnë që në përbërjen e komisioneve të respektohet parimi i barazisë mes pozitës dhe opozitës.
Sipas propozimit të PD-së, Komisioni për Reformën Zgjedhore duhet të ketë 16 anëtarë: tetë nga Partia Socialiste, gjashtë nga Partia Demokratike, një përfaqësues nga grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim” dhe një tjetër nga grupi parlamentar i Partisë së Lirisë. I njëjti raport kërkohet të zbatohet edhe për Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale.
Në dokumentin e paraqitur theksohet gjithashtu se në procesin e punës duhet të përfshihen institucione me ekspertizë ndërkombëtare, si Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Europës. Për çështjet ku palët nuk arrijnë konsensus, PD propozon që ato t’i referohen Komisionit të Venecias dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale.
Një tjetër pikë e rëndësishme e kërkesës së demokratëve është ndryshimi i pikës 3 të projektvendimit për Reformën Zgjedhore, e cila, sipas tyre, “i imponon opozitës partinë e Tom Doshit si përfaqësuese të saj”.
Debatet mbi këtë çështje nisën një ditë më parë në Konferencën e Kryetarëve, ku opozita akuzoi mazhorancën se po përpiqet të përfshijë Partinë Socialdemokrate në përbërjen e komisionit si parti opozitare. Në propozimin e ri, PD kërkon përjashtimin e PSD-së, duke e cilësuar atë si “degë të PS-së” dhe si “një votë shtesë për mazhorancën”, që, sipas demokratëve, “do ta bënte barazinë vetëm formale dhe jo reale.” a.b











