Meta kohë më parë në sallën e gjyqit në GJKKO
Gjykata e Lartë ka vendosur të rrëzojë rekursin e paraqitur nga Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë dhe ish-president i Republikës, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij. Vendimi është marrë në kuadër të çështjes penale me numër 61007-00535-00-2025 dhe bazohet në nenet 246/6 dhe 260 të Kodit të Procedurës Penale.
Meta kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë, por Gjykata e Lartë nuk e pranoi kërkesën e tij, duke mbështetur vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhënë më 17 korrik 2025.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, kur u arrestua me urdhër të SPAK nën akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Hetimi përfshin tri çështje të bashkuara: aferën CEZ–DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror të zhvilluar ndaj tij dhe bashkëshortes, deputetes Monika Kryemadhi.
Sipas burimeve gjyqësore, rekursi i Metës u shqyrtua nga trupi gjykues i përbërë nga relatorja Albana Boksi dhe anëtarët Sokol Binaj e Medi Biçi. Me vendimin e sotëm, ish-kreu i shtetit do të vijojë të qëndrojë në qeli deri në përfundim të procesit gjyqësor të ngritur ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK. a.b












