Pamje nga Gjiri i Limionit në Sarandë
Agjentët e BKH kanë kontrolluar sot ambiente të dy bizneseve strategjikë që janë përfshirë në rindërtimin me qëllime civile të bazës ushtarake detare të Limionit.
Mes banesave të kontrolluara këtë të mërkurë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, është edhe ajo e Bardhyl Kollçakut, ish-deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Beratit.
Kollçaku, si ish-Gjeneral Brigade është ndër ushtarakët që kanë firmosur vendimin për nxjerrjen nga plani i përhapjes së ushtrisë të bazës detare të Limionit, në Sarandë.
Sipas raportimeve, emri i tij lidhet me një video filmim 5 orësh, ku disa gjeneralë të ushtrisë diskutonin për shkarkimin e admiralit të Flotës Luftarake Detare dhe për kalimin e bazës së Limionit në administrim të dy kompanive private që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik.
Një material filmik është dorëzuar në prokurori nga avokati Arben Llangozi në të cilën, sipas gazetarit Elton Qyno që publikoi lajmin, gjeneralët e lartë të ushtrisë janë përgjuar me zë dhe figurë, teksa diskutojnë vendime që lidhen me lirimin e bazës për investime civile. a.b












