Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu me drejtuesit e policisë sot në njëbtakim
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, kanë shpallur masa të reja për sigurinë publike që lidhen me përdorimin e monopatinave elektrike, pas një rritjeje të ndjeshme të aksidenteve dhe shqetësimeve nga qytetarët.
Në një deklaratë për mediat, ministrja Koçiu bëri të ditur se Policia e Shtetit do të ndalojë përkohësisht qarkullimin e monopatinave elektrike, deri në përfundimin e një procesi rregullator të plotë.
“Thirra sot në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të adresuar një shqetësim në rritje të qytetarëve sa i përket përdorimit të monopatinave elektrike. Kemi marrë një sërë ankesash dhe raportimesh nga qytetarët rreth rrezikshmërisë që këto mjete përfaqësojnë, sidomos për të miturit apo të moshuarit, por edhe për vetë përdoruesit e tyre”, deklaroi Koçiu.
Sipas saj, të dhënat e Policisë së Shtetit tregojnë një rritje shqetësuese të aksidenteve me monopatina. Ministrja theksoi se deri në miratimin e një kuadri të qartë rregullator, interesi publik kërkon një ndërhyrje të menjëhershme.
“Sot, i kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht, të mos lejojë qarkullimin e monopatinave elektrike. Dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën si mënyrë biznesi për dhënie me qira ditore, të mos investojnë në këtë aktivitet. Lejimi në të ardhmen do të vlejë vetëm për përdorim vetjak”, shtoi ministrja.
Ajo paralajmëroi se në fazën e ardhshme do të hartohen rregulla të qarta që do të përcaktojnë moshën minimale të përdoruesve, detyrimin për pajisje mbrojtëse si kaska dhe ndriçim, si dhe korsitë dhe rrugët ku mund të lejohet qarkullimi.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar 991 aksidente që përfshijnë monopatina elektrike, mes të cilave edhe raste me viktima.
“Kemi bërë një analizë të hollësishme dhe kemi arritur në përfundimin që përdorimi i këtyre mjeteve po shkakton një rrezik imediat për sigurinë publike. Për ta adresuar këtë problem, kemi përcaktuar procedura standarde për ndëshkimin e drejtuesve dhe bllokimin administrativ të mjeteve që përdoren në rrugë urbane apo në trotuare”, tha Proda.
Ai njoftoi gjithashtu se nga dita e hënë, Policia e Shtetit do të nisë një operacion kombëtar për ndalimin e qarkullimit të monopatinave elektrike, duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve.
Në fund, ministrja Koçiu shtoi se Shqipëria nuk është rasti i vetëm në Europë që po përballet me këtë problem.
“Franca, Italia, Gjermania, Maqedonia e Veriut dhe shumë vende të tjera kanë marrë masa drastike, me bllokim të përhershëm apo të pjesshëm. Ne do të studiojmë praktikat më të mira europiane për të balancuar interesin e të gjitha palëve”, theksoi ajo. a.b










