Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme miratoi një vendim që shton sigurinë dhe mbrojtjen për gjyqtarët dhe prokurorët specialë. Sipas këtij vendimi kryetarit të gjykatës speciale dhe kreur të SPAK i vendosen mbrojtje policore përkatësisht deri në 2 dhe 3 vite pas largimit nga kjo detyrë.
“Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të tij. Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 (tre) vjet pas përfundimit të tij”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Gjithashtu janë bërë disa ndryshime në përbërjen e institucioneve: Arben Çuko, prefekt i Qarkut të Fierit, lirohet nga kjo detyrë; Anduel Xhindi emërohet prefekt i Qarkut të Fierit.
Plator Nesturi, prefekt i Qarkut të Vlorës, lirohet nga kjo detyrë; Evis Allushi emërohet prefekt i Qarkut të Vlorës. m.k











