Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi, 44 vjeç, trupi i të cilit u gjet pas mesnatës së 26 shtatorit 2025 në vendin e quajtur “Qafa e Dilanit” në Tepelenë.
Autori i dyshuar është Kamber Sulçe, 48 vjeç, banues në Mesaplik të Vlorës. Ai akuzohet për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim armësh e municionesh” dhe “Prodhim e shitje të narkotikëve”. Hetimet tregojnë se ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta mes Sulçes dhe Sarchit, ku i dyshuari ka qëlluar me armë zjarri ndaj biznesmenit dhe shoqëruesve të tij.
Gjatë kontrollit dhe veprimeve hetimore u sekuestruan automjetet e viktimës dhe shoqëruesve, dy armë gjahu, automjeti dhe veshjet e përdorura nga autori, si dhe një çantë me dylbi infra e termike, mbajtëse arme dhe elektrik dore.
Kontrollet në banesat e Sulçes dhe familjarëve të tij në Mesaplik e Vlorë çuan në gjetjen dhe sekuestrimin e rreth 2.5 milionë lekëve (lekë dhe euro), tre armë gjahu me municion, 450 fara të dyshuara kanabisi dhe dy kasaforta.
Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Gjirokastrës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe strukturat e specializuara të Policisë Kriminale. m.k











