Këshilltarët e opozitës që morën fjalën mbledhjen që shkarkoi Erion Veliajn nga kryetar i bashkisë në fjalët e tyre, e cilësuan vendimin si të vonuar dhe të paplotë, ndërsa akuzuan mazhorancën socialiste se për vite me radhë ka miratuar aferat dhe abuzimet e Veliajt.

Ali Alimehmeti tha se opozita e kishte kërkuar prej kohësh shkarkimin e kryebashkiakut, por theksoi se përgjegjësia është edhe e këshilltarëve socialistë:
“Veliaj është një kapitull i mbyllur, por ju jeni kapitulli i hapur. Ju ia miratuat vjedhjet, inceneratorin, buxhetet dhe sot mbani po aq përgjegjësi.”
Dorjan Teliti e quajti ditën e sotme “historike për Tiranën”, por nënvizoi se vendimi duhej të pasqyronte shkeljet e shumta të Veliajt:
“Ky nuk është thjesht një kryebashkiak që mungoi 90 ditë, por një drejtues që ka kthyer Tiranën në lavatriçe pastrimi parash me kulla, tendera pa garë dhe inceneratorë që nuk ekzistojnë.”
Ilda Zhulali ironizoi se mbledhja po dukej si “ceremoni funebre” dhe tha se Veliaj po merr shijen e gjellës që ka gatuar vetë:
“Ky vendim është i vonuar dhe i paplotë. Ai duhej të shkarkohej që në vitin 2023, për shkelje të rënda me inceneratorin dhe abuzimet me qytetarët e Tiranës.”
Pano, nga ana e tij, e lidhi shkarkimin edhe me mungesën e fjalës së lirë në Tiranë:
“PD lufton për fjalën e lirë, pikërisht të atij që na e censuroi atë. Tirana nuk ka vuajtur vetëm 7 muajt e fundit, por prej 12 vitesh, me familje të dëbuara dhe të dhunuara.”











