KQZ përcakton vlerën monetare të një vote për zgjedhjet e 11 majit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publik vendimin për përcaktimin e vlerës financiare të një vote të vlefshme në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Sipas përllogaritjeve, fondi prej 150 milionë lekësh, i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për fushatën zgjedhore, është ndarë me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të partive që kanë kaluar pragun minimal prej 1 për qind. Nga ky proces rezulton se çdo votë e vlefshme ka vlerën 94 lekë.
Në zgjedhjet e majit, gjithsej u numëruan 1.592.884 vota të vlefshme, ndërsa subjektet që përfituan mbi 1 për qind të tyre janë:
-Partia Socialiste e Shqipërisë – 855.831 vota (53.29%)
-Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore – 528.592 vota (32.91%)
-Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet – 64.212 vota (4.00%)
-Partia Socialdemokrate – 49.865 vota (3.10%)
-Partia Mundësia – 48.952 vota (3.05%)
-Partia Lëvizja Bashkë – 24.547 vota (1.53%)
-Partia Koalicioni Euroatlantik – 20.885 vota (1.30%)
Vendimi i KQZ-së shërben si bazë për përcaktimin e fondeve që do t’u shpërndahen partive politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke lidhur mbështetjen financiare me rezultatin elektoral të arritur. a.b












