Kryeministri Rama vijoi sot me prezantimin e Prof. Dr. Evis Sala që është ministrja e re e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Rama e prezantoi atë në mjediset e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, si njëish studente të shkëlqyer të Fakultetit të Mjekësisë, e cila prej thuajse 30 vitesh ka krijuar një karrierë nga më mbresëlënëset ndër shqiptarët nëpër Europë apo në botë, duke spikatur si mjeke, si akademike dhe si drejtuese në disa prej universiteteve dhe qendrave më të njohura të botës.
“Jam i bindur që shumëkush edhe në këtë takim e njeh, Evis Salën si një studente të dikurshme me shkëlqim në Fakultetin e Mjekësisë që prej thuajse 30 vjetësh ka zhvilluar një karrierë ndër më mbresëlënëset ndër shqiptarët në Europë apo në botë”, tha Rama. a.b
Ajo ka spikatur si akademike, si mjeke dhe si drejtuese në disa prej universiteteve dhe qendrave më të njohura spitalore të botës. Ka punuar në Qendrën Spitalore për Kancerin, “Memorial Sloan Kettering” në Neë York, ku ka mbajtur pozicionin e profesoreshës dhe shefes së Radiologjisë Abdominale.
Ka thelluar studimet në universitetin e Kembrixhit, ku ka punuar si profesor i Imazherisë Onkologjike, ka mbrojtur doktoraturën dhe kryer specializimin e lartë në radiologji.
Dhe përpara se të vinte në Shqipëri këto ditë për të marrë këtë detyrë të re, drejtonte prej disa vitesh departamentin e Imazherisë Diagnostike dhe Radiologjisë në Poliklinikën Universitare “Gemelli” dhe njëkohësisht jepte mësim në Universitetin Katolik të “Zemrës Shenjtë” në Romë.
Profesore Sala ka marrë pjesë në grupe kërkimore shkencore me financime nga agjencitë më të njohura europiane dhe amerikane, ka publikuar mbi 300 artikuj shkencorë, mbajtur mbi 500 kumtesa dhe ligjërata në forume akademike ndërkombëtare. Ndërkohë që, bën pjesë në bordet e disa shoqatave të mirënjohura europiane dhe jo vetëm të radiologjisë.
Po ashtu, ministrja jonë e re e shëndetësisë është një personalitet i vlerësuar me çmime dhe vlerësime prestigjioze ndërkombëtare, ku më vjen një kënaqësi e veçantë të veçoj pranimin e saj në Tokio, si e para grua anëtare në historinë e të famshmes “Japanese Radiological Society”.
Profesore Sala sjell përveç tjerash në qeverinë e re edhe shembullin rrezatues të shqiptarëve të suksesshëm të Europës dhe të botës, të cilëve do t’u hapim derën sa më shumë dhe gjithnjë e më shumë, qoftë për të shërbyer si profesionist në çdo nivel, pasi kanë investuar masivisht në shkollim dhe në karrierë, qoftë për t’i investuar financiarisht në Shqipëri, pasi këtu është toka e të parëve.












