Partia Demokratike ka reaguar përmes zëdhënëses së Antikorrupsionit, Genta Vangjeli, lidhur me nismën e Kryeministrit Edi Rama për të prezantuar të ashtuquajturën “ministre virtuale” Diella.
Sipas Vangjelit, kjo është një formë e shpikur nga Kryeministri pas refuzimit të punonjësve të administratës publike për të zbatuar urdhra të paligjshëm në procedurat e prokurimeve gjatë qeverive Rama 1, 2 dhe 3.
“Diella është paraqitur nga Kryeministri si garancia që tenderat publikë do të jenë 100% të pakorruptueshëm dhe transparentë. Por në fakt, bëhet fjalë për një mekanizëm informal që ngre shqetësime serioze ligjore dhe kushtetuese”, tha Vangjeli.
Ajo theksoi se koncepti i “ministrit virtual” nuk ekziston në asnjë nen të Kushtetutës apo në ligjet shqiptare, ndërsa çdo emërim, betim apo shkarkim i ministrave është i përcaktuar qartë me ligj. “Në këtë rast mungon çdo formë përgjegjësie ligjore dhe institucionale. Kush e mbikëqyr Diellën? Kush mban përgjegjësi në rast shkeljesh apo dëmi financiar?” – u shpreh zëdhënësja e PD-së.
PD akuzon Ramën se përmes “Diellës” ka përqendruar në mënyrë të paprecedentë të gjitha funksionet e sistemit të prokurimit publik në një dorë të vetme, duke eliminuar ndarjen e roleve dhe kontrollin e ligjshëm të parashikuar në procedurat zyrtare.
Në përfundim, Vangjeli e cilësoi këtë nismë si një tjetër provë të kapjes së shtetit nga Kryeministri Rama dhe një rrezik të madh për financat publike. r.p












