Niko Peleshi është zgjedhur sot kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë, duke marrë 84 vota pro. Votimi u shoqërua me tensione të forta, teksa opozita, e cila kishte paralajmëruar bojkotin, zgjodhi të hidhte në kuti fotografi që denonconin korrupsionin e qeverisë.
Ndër deputetët e opozitës vetë një mori pjesë në votim, Tritan Shehu. Në lidhje me pjesëmarrjen e tij në votim, kreu i PD, Sali Berisha tha se nuk e dinte arsyen e veprimit të Shehut.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi para votimit se shumica nuk ka legjitimitet për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, duke lëshuar akuza të ashpra ndaj Peleshit. “Kjo është njësoj si të vesh Klodian Zoton në krye të Kuvendit. Propozimi juaj është shprehje e filozofisë së krimit, vjedhjes dhe korrupsionit. Ne nuk marrim pjesë në këtë votim”, tha Bardhi.
Emri i Peleshit u propozua një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Socialiste, ndërsa 64 deputetë kishin firmosur kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Kuvendit.
Seanca e parë plenare e legjislaturës nisi me betimin e 140 deputetëve të rinj, pas verifikimit të mandateve nga një komision i përkohshëm. Megjithatë, ashtu si në sesionin e kaluar, opozita bllokoi foltoren dhe tensionet e brendshme çuan në ndërhyrjen e gardës për të rikthyer rendin në sallë. a.b











