Policia e Shkodrës ka konfirmuar vdekjen e dy personave sot në një atentat kryer në qendër të qytetit. Kanë mbetur të vrarë Armando Pali dhe shoferi i Erogen Vasos, Liridon Kraja.
Ndërkaq Vaso është i plagosur rëndë dhe ndodhet në spitalin e Shkodrës. E plagosur ka mbetur edhe një grua.
“Rreth orës 08:50, në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali, dyshohet se shtetasi R. G. ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë janë plagosur shtetasi E. V. (B.), 43 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, si dhe shtetasja M. K., 25 vjeçe, e cila është dëmtuar lehtë.
Gjithashtu, si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi A. P., ndërsa në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë edhe shtetasi L. K. (L.), 31 vjeç”, raporton policia e Shkodrës.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Pas disa minutash ndjekjeje, bënë të mundur kapjen e tij dhe sekuestruan një armë zjarri automatike.
Ndërkaq, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. a.b











