Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, në bazë të informacioneve të siguruara mbi vendndodhjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim, organizoi dhe zhvilloi operacionin e koduar “Operacionalja 64”.
Si rezultat i këtij operacioni, u lokalizuan, u kapën dhe u vunë në pranga Roland Metushi, 47 vjeç, dhe Saimir Metushi, 45 vjeç, banues në Divjakë. Të dy këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi janë dënuar për veprimtari kriminale në trafikun e lëndëve narkotike.
Gjykata e Novarës në Itali, në tetor të vitit 2024, ka dhënë vendimin e saj për dënimin e vëllezërve Metushi: Saimir Metushi është dënuar me 7 vite burg, ndërsa Roland Metushi me 5 vite, për akuzat “Organizata kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Materialet procedurale mbi arrestimin e tyre provizor, me qëllim ekstradimin në Itali, i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier. Në vijim, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën, po ndjek procedurat e ekstradimit të dy shtetasve drejt Italisë. a.b











