Dimal Basha deputet i Lëvizjes Vetvendosje zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Pas rreth gjashtë muajsh ngërçi politik dhe seancash të përsëritura për konstituimin e legjislaturës së nëntë, sot, më 26 gusht 2025, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës me 73 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime.
Zgjedhja e Bashës siguron konstituimin e Kuvendit dhe hap rrugën për formimin e qeverisë së re.
Një faktor kyç në zgjedhje ishte mbështetja nga PDK, e cila, sipas raportimeve, dha votat për të shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe për të çuar përpara formimin e institucioneve të reja.
Pas zgjedhjes, seanca është ndërprerë për të vijuar më pas votimi për pesë nënkryetarët e Kuvendit – tre nga tri partitë më të mëdha shqiptare dhe dy nga pakicat (serbe dhe të tjera).
Që nga seanca konstituive e 15 prillit, pjesëmarrësit kishin dështuar të zgjedhnin kryetarin e Kuvendit, duke vazhduar me rreth 48 përpjekje të dështuara deri sot.
Partitë ndërkaq kanë propozuar emrat për nënkryetarë. LVV ka propozuar për nënkryetare, Albulena Haxhiun. PDK ka propozuar për nënkryetare, Vlora Çitakun. LDK ka propozuar për nënkryetar, Kujtim Shala.
Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.
Ai u zhvendos në SHBA në vitin 2007. Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare”.
Dimali gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në New York.
Me një përvojë të pasur profesionale, Dimali ka punuar në zyrën e ish-Kongresmenit Eliot Engel, si dhe si Analist i të Dhënave Kualitative në Gjykatën Federale të ShBA-së.
Përveç kësaj, ai ka ushtruar një karrierë të suksesshme menaxheriale në Angli dhe ShBA.
Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate, dhe ky është mandati duke përfaqësuar Lëvizjen Vetëvendosje! Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e uron Bashën dhe thekson rëndësinë e bashkëpunimit institucional për të ardhmen e Kosovës.
Elisa Spiropali, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, shprehet e kënaqur me zgjedhjen, duke shpresuar në ripërtrirje të bashkëpunimit të ngushtë mes dy parlamenteve për integrimin euroatllantik.
LDK, nga ana tjetër, e kritikon këtë vendim. lideri i saj, Lumir Abdixhiku, e cilësoi votimin si “fitore të injorancës” dhe si “gabim të pafalshëm”. a.b












