Pamje nga vendi i ngjarjes
8 persona janë vendosur në pranga në lidhje me vrasjen e një 14-vjeçari në fshatin Pirg të Maliqit.
“Është arrestuar 14-vjeçari autor i dyshuar i vrasjes, i cili pas kryerjes së krimit, tentoi të largohej nga vendngjarja, me automjet; babanë dhe xhaxhanë e autorit të dyshuar, pasi fshehën thikën, me të cilin u krye krimi; 4 të mitur të pranishëm gjatë konfliktit mes 14-vjeçarëve, të cilët nëpërmjet deklarimeve në Polici, tentuan të pengojnë zbulimin e së vërtetës; një 34-vjeçar, gjithashtu i pranishëm gjatë konfliktit, i cili tentoi të largohet nga vendngjarja, në të njëjtin automjet me 14-vjeçarin”, njoftoi policia e Maliqit.
Sipas të dhënave paraprake, sherri ka ndodhur në ambientet e një lokali dhe si pasojë e plagëve të marra, adoleshenti E. Xh., 14 vjeç, ka ndërruar jetë në spital.
Sipas policisë autori dhe viktima kanë pasur konflikt më herët mes tyre, por ende mbetet e paqartë arsyeja.
Ajo çka dihet është se të rinjtë kanë debatuar edhe në rrjetet sociale më parë.
Besohet se nuk ka pasur një “planifikim” për t’u takuar, por të dy adoleshentët janë gjetur në të njëjtin lokal rastësisht.
Në një moment të caktuar, njëri prej tyre kërkon të sqarohet, ndërsa autori i dyshuar ka nxjerrë një mjet prerës nga xhepi dhe e ka goditur bashkëmoshatarin e tij.












