Në foto Klevis Hoxhosmani
Klevis Hoxhosmani, 37 vjeç, dhe vëllai i tij 42-vjeçar, Artur, u arrestuan të shtunën nga njësia kundër krimit të organizuar në Shqipëri, për përfshirjen e tyre të dyshuar në një komplot për trafikimin e sasive industriale të drogës nga Amerika Latine drejt Britanisë dhe BE-së. Ata dyshohen për përfshirje në një komplot për trafikimin e kokainës me vlerë 335 milionë paund.
Kjo çështje ka zgjuar interesin e strukturës së posaçme SPAK, që po mbikëqyr hetimin që çoi në arrestimin e tij.
Prokurorët shqiptarë pretendojnë se Hoxhosmani dhe vëllai i tij ishin pjesë e një grupi të madh kriminal ndërkombëtar që përfshinte të paktën nëntë persona të tjerë.
Banda akuzohet për trafikim të kokainës nga Kolumbia apo Ekuadori, duke e transportuar më pas me rrugë detare dhe tokësore drejt Britanisë.
Prokurorët pretendojnë se ata ishin pas një ngarkese me 250 kg kokainë që u kap në Francë në prill 2020 – e cila dyshohet se ishte në rrugë për në Mbretërinë e Bashkuar.
Mesazhe të shkëmbyera në një platformë të enkriptuar të quajtur Sky/ECC pretendohet se tregojnë reagime të anëtarëve të grupit, të tmerruar kur kuptuan se droga ishte sekuestruar.
Hoxhosmani ka lidhje të ngushta me Britaninë, ku rezulton i lidhur me tre biznese në Bournemouth, sipas të dhënave të Companies House.
Ai ka qenë drejtor i “Crystal Hand Car Wash”, një lavazho i themeluar në vitin 2013 dhe i mbyllur në 2015. Po ashtu, ka qenë më parë drejtor i “Barrack Road Tyres”, një servis gomash në Christchurch që tani është nën pronësi të re.
Aktualisht, Hoxhosmani figuron si drejtor i “Opa Coffee Limited”, e regjistruar në një dyqan bosh pranë parkut “Central Gardens” në qendër të Bournemouth.
Ai ka precedent penal në Britani, pasi në vitin 2014 pranoi fajësinë për sulm ndaj një gruaje në Ferndown. U dënua me një urdhër komunitar dhe u urdhërua të paguajë 60 paund dëmshpërblim.
Vëllai i tij, Arturi, është ish-pronar i një lavazhi tjetër në Ferndown, ku dy shtetas – një afgan dhe një irakian – u arrestuan kohët e fundit për shkelje të kushteve të lirimit me kusht.
Sipas prokurorëve, banda siguronte kokainën nga Kolumbia ose Ekuadori. Droga transportohej në kontejnerë detarë drejt porteve kryesore evropiane, si Antwerp në Belgjikë dhe Rotterdam në Holandë, më pas përmes rrugëve tokësore në Francë dhe përmes Tunelit të La Manshit në Britani.
Ajo fshihej në paleta druri, arka me banane, thasë me kakao apo ngarkesa me dru.
Grupi përdorte pseudonime dhe kryente pagesat përmes sistemit Hawala – një metodë informale transferimi që funksionon përmes ndërmjetësve të besuar.
Prokurorët Altin Dumani dhe Adnand Xholi deklaruan: “Struktura organizative e këtij grupi kriminal, me lidhje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare, aftësitë e tyre dhe shtrirjen në tregjet ndërkombëtare të krimit.”
Ata e përshkruan grupin si hierarkik, ku drejtuesit jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat e drogës, por gjithashtu mbikëqyrnin rrugëtimin e saj nëpër Europë, deri te shpërndarja nga bashkëpunëtorët në vendet e destinacionit, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Anëtarë të grupit ishin të vendosur në Britani, disa vende të BE-së, në Dubai dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe sipas prokurorëve ndihmoheshin nga punonjës doganash dhe portesh.
Një nga anëtarët e dyshuar të grupit, Erion Alibej, po bashkëpunon me prokurorët.
Në gjykatë, ai pretendoi se një bashkëpunëtor u rrah në Londër pasi humbën 50 kg kokainë.
SPAK ka sekuestruar një jaht luksoz dhe disa makina, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7 dhe një Volkswagen Sharan.
Po ashtu, janë sekuestruar dy ora të shtrenjta, 16 telefona celularë, 19 karta bankare dhe tre armë zjarri me karikatorë dhe fishekë.
Të arrestuarit së bashku me vëllezërit Hoxhosmani janë identifikuar si Plarent Dervishi dhe Erion Alibej.
Ata u paraqitën në gjykatë një ditë më vonë, ku gjyqtari Erion Bani miratoi kërkesën e prokurorisë për t’i lënë në burg në pritje të gjykimit.
Dy persona të tjerë, Elidon Skëndaj dhe Ilir Lloshi, janë ende në kërkim nga policia.
Prokurorët shqiptarë thanë se hetimi është mbështetur nga policia në Britani dhe në Bashkimin Evropian.
“Ky hetim i suksesshëm i udhëhequr nga SPAK është rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, në veçanti me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë e vendeve anëtare të BE-së, si dhe agjencitë partnere të zbatimit të ligjit në Mbretërinë e Bashkuar,” deklaruan ata.
“Vlera e materialeve të siguruara nga analiza e të dhënave të komunikimit të dekriptuar përmes Sky/ECC ka qenë thelbësore për plotësimin e provave të mbledhura gjatë hetimit dhe vijon të jetë e vlefshme për arritjen e rezultateve të duhura hetimore.”
“Kjo informacion ka qenë kyç në identifikimin e veprave penale të rënda, të dyshuarve dhe rolin e tyre në këtë grup të strukturuar kriminal.” Daily Mail












