Kryeministri Edi Rama tha sot gjatë fjalës së tij në takimin elektoral në Shkodër pse e përfshiu Benet Becin tek propozimet e tij.
“Nuk e heq Rrugën e Kombit si iniciativë është një nga veprat më korruptive. Çfarë kemi bërë ne për veriun nuk është bërë nga qeveritë e mëprashme. Të gjitha akset për ta hapur veriun ndaj turizmit i kemi bërë ne. Ka qenë fat për mua që kam patur Benetin në Fondin e Zhvillimit. Ishte nga mbetjet e pakta të kaluarës që ishte komplet e riciklueshme”, tha Rama.
Rama pranoi se Bashkia Shkodër është më e paprekura nga investimet e qeverisë shqiptare në dekadën e fundit, pasi në krye të saj ishin demokratët, të cilët, sipas tij, kanë refuzuar bashkëpunimin.
“Ndryshe nga të gjitha qarqet e tjera, në këtë qark ka një gropë prej 10 vitesh. Gropa është e Bashkisë së Shkodrës. Deri përpara se këtu Beneti të merrte detyrën, këtu nuk bëhej fjalë për projekte. Në një dekadë, Shkodra ka marrë më pak investime në këtë qark. Jo se nuk kemi dashur, por nuk kishim bashkëpunim. Gjithsesi ka një gjë që më bën shumë krenar, por që është një nga shumë mitet e ngritura artificialisht, pa asnjë bazë. E keni dëgjuar frazën: “Edi Rama nuk do veriun, nuk do veriorët. Në atë pemën e komplikuar të familjes time, e kam në rrënjë. Me historinë e Shkodrës kam qenë shumë i lidhur. Gjyshja ime katolike më ka ndikuar shumë. At Zef Pëllumbin kam pasur privilegjin ta kem mik”, tha Rama, përpara se të niste rezymenë. a.b