Bardhyl Haxhiu ne momentin e arrestimit
Një 56-vjeçar u arrestua sot në Lushnjë pas bashkëpunimit të policisë italiane dhe asaj shqiptare.
Bardhyl Haxhiu kërkohej prej 16 vitesh si drejtues i një organizate kriminale të narkotrafikut në Caserta të Napolit. Ndërsa është i dënuar në mungesë me 24 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge.
“Sipas asaj që u konstatua gjatë hetimeve, Haxhiu dyshohet se ishte pjesë e një organizate kriminale aktive midis provincave të Napolit dhe Kazertës, e dedikuar për importimin e heroinës nga jashtë. Brenda grupit, burri konsiderohej kontakti kryesor për hyrjen në Itali të dërgesave të mëdha të drogës, për sasi që tejkalonin edhe 130 kilogramë”, informon media italiane.
Arrestimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit midis njësisë hetimore të Karabinierëve të Napolit dhe autoriteteve policore shqiptare, mbi bazën e kërkimeve ndërkombëtare të aktivizuara nga Prokuroria e Përgjithshme e Napolit.
Ai aktualisht po mbahet në burg në Shqipëri, në pritje të procedurave të ekstradimit. r.k












