Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka vendosur konfiskimin e pasurive të Alda Klosit dhe ish-bashkëshortit të saj, pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës. Vendimi vjen pas hetimeve që zbuluan fshehjen dhe mosdeklarimin e pasurive nga ana e Klosit, e cila ka qenë subjekt deklarimi në ILDKPKI që prej vitit 2016.
Sipas Prokurorisë, nga analiza e dokumentacionit dhe të dhënave financiare, pasuritë e sekuestruara nuk justifikohen me burime të ligjshme. Për rrjedhojë, pasuritë e paluajtshme dhe shumat monetare në emër të saj dhe të personit të lidhur u konfiskuan me vendim gjyqësor.
Pasuritë e konfiskuara përfshijnë:
368.000 lekë, 15.600 dollarë amerikanë dhe 462.950 euro, të sekuestruara në kuadër të procedimit penal nr. 9220/2022 dhe arkëtuara në llogarinë e Prokurorisë më 10 janar 2023.
Një apartament prej 85.09 m² në Tiranë, në pronësi të Alda Klosit.
Një garazh prej 14.06 m² në Tiranë, në pronësi të saj.
Vendimi i konfiskimit u bazua në nenin 257/a/2 të Kodit Penal dhe ligjin nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Autoritetet vijojnë hetimet për burimin e pasurive të dyshuara si të pajustifikuara. a.b












