Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u transferua sot nga paraburgimi i Durrësit në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Apelit. Sot mbahet seanca mbi ankimimin e tij për masën e sigurisë “arrest në burg”. Seanca pritet të nisë në orën 10:00.
Veliaj ndodhet pas hekurave prej datës 10 shkurt, kur u arrestua në zyrë nga agjentët e BKH me urdhër të SPAK. Seancën në Apelin e Posaçëm do ta drejtojë gjyqtari Engert Pëllumbi, i njohur për vendimin e tij në çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në Apel, Veliaj kundërshton masën e sigurisë të vendosur nga Shkalla e Parë pas akuzave të SPAK për përfshirje në “korrupsion” dhe “pastrim parash”. Krahas tij, edhe biznesmeni Elman Abule ka ankimuar masën “arrest në burg”, ndërsa biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi dhe Shkëlqim Tufa kanë kundërshtuar masën “detyrim paraqitje”. a.b












