Sulmuesi shqiptar Rey Manaj ka pësuar një dëmtim serioz në ndeshjen mes Sivassporit dhe Göztepes në Superligën turke. Manaj, i cili e nisi takimin si titullar, u detyrua të largohej nga loja pas vetëm tre minutash, pas një përplasjeje të fortë me një mbrojtës kundërshtar.
Incidenti ndodhi në minutën e tretë, kur Manaj u përplas kokë më kokë me një futbollist të Göztepes, duke mbetur i shtrirë në fushë. Situata alarmoi menjëherë stafin mjekësor, i cili ndërhyri për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa sulmuesi shqiptar u transportua me ambulancë në spital.
Në një njoftim zyrtar, klubi i Sivassporit konfirmoi se Manaj humbi ndjenjat pas përplasjes, por ka rikuperuar vetëdijen në spital. “Pas kryerjes së analizave të nevojshme, klubi ynë do të informojë publikun mbi gjendjen e tij shëndetësore. I urojmë futbollistit tonë një shërim të shpejtë”, thuhet në komunikatën e klubit.
Gjendja e sulmuesit shqiptar mbetet në monitorim, ndërsa tifozët dhe ekipi presin me shqetësim rezultatet e ekzaminimeve mjekësore. r.s











