Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim I.S., S.T. dhe Franko Leka, të dyshuar për kryerjen e veprave penale, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje“, kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake“, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80- 28/4, 278/1, 333/a dhe 334/1, të Kodit Penal.
Po ashtu ka vendpsur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg“, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim Aleksandër Prendi, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje“, e mbetur në tentative dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake“.
DETAJET/ Nga hetimet e zhvilluara rezulton se më 23.08.2024, rreth orës 17.00 të pasdites personat nën hetim I.S., S.T. dhe F.L., bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.
Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e personit nën hetim Aleksandër Prendi dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zonë.
Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga personi nën hetim Aleksandër Prendi. Nga provat e siguruara në vendin e ngjarjes rezulton të ketë pasur shkëmbim zjarri, jo dëmtime të shëndetit të personave të përfshirë, por vetëm të mjeteve. Njëri nga mjetet me të cilën kanë lëvizur personat nën hetim, është dëmtuar si pasojë e të shtënave në vendin e ngjarjes. Ai ka rezultuar i paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja, të cilat nuk i përkojnë po të njëjtit mjet.
Më 18 shkurt 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim I.S. dhe S.T. dhe janë shpallur në kërkim personat nën hetim F.L. dhe A.P.
Gjithashtu, në po të njëjtën datë, në zbatim të vendimit nr. 123, të datës 17.02.2025, të Gjykatës së Posaçme është ushtruar kontroll në disa banesa dhe ambiente në qytetin e Shkodrës, të cilat dyshohen se përdoren si baza për strehimin e personave nën hetim ose si vende, ku mund të gjenden prova për vepra penale. r.k











