Kryeministri Edi Rama la të kuptohet sot se SPAK mund të ketë nisur një hetim ndaj tij ose ai është në listën e personave që do të pyeten në procesin ndaj Erion Veliajt.
Ai kërcënoi SPAK-un duke i thënë se nuk duhet të guxojë që t’i kërkojë celularin.
“Ta përdorin pavarësinë për të bërë drejtësi dhe jo politikë. Kur them politikë është kjo: meqë njërin po e lëmë në ballkon, të kapim 3 nga këta të tjerët. Meqë kapëm kryetarin e bashkisë, të kapim dhe këtë tjetrin për diplomë. Të përfundojë njeriu në SPAK për diploma… çfarë është kjo? Në këtë kuptim e kam kur them politikë. Ndjekin mediat, kompleksohen dhe bëjnë balet. Dhe mos të bëjnë gabim të kërkojnë telefonin tim sepse boll i kanë, kanë mbledhur të gjithë telefonat e Shqipërisë atje. Të merren me faktet”, shprehet Edi Rama.
Edi Rama e bëri deklaratën gjatë dëgjesës së grupit parlamentar socialist me kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka e cila është nën hetim brenda procesit të Erion Veliaj.
Rama foli për marrjen me forcë nga rruga të një artisti, teksa çonte fëmijën në kopsht duke theksuar se prokurorët po intimidojnë njerëzit.
“Beteja jonë janë standardet. Unë jam dëshmitar dhe jam gati të dëshmoj, janë intimiduar njerëz, i kam takuar unë kam folur unë me ta, pa asnjë lidhje me Erionin se janë njerëz në botën e artit dhe kulturës dhe dikush më ka thënë që filani s’është në gjendje të rëndë psikologjike se e kanë marrë, i kanë marrë telefonin dhe nuk ia kanë kthyer më dhe e kam marrë me tel e gruas dhe kam dëgjuar një grua nga ana tjetër e telefonit që vetëm qante dhe pastaj jam takuar me personin. Mua personalisht më ka ardhur turp kur kam menduar që sot jam kryeministër dhe ndjehem i pafuqishëm karshi një personi që më ka kujtuar veten time. Unë pak me i prapë se ai se nuk u shokova psikologjikisht kur më çuan të Braka. Më thoni një person, nuk figuron ai, është një person që nuk e di për çfarë është thirru, për arsye të aktiviteteve kulturore. Si mund të merret në rrugë një baba që është duke çuar fëmijën në kopsht me karrocë. Hajde me ne! Ku jemi këtu ne?”
“I vetmi lajm ngushëllues është që pavarësia është e plotë mirëpo këto janë shenja që abuzimi me pavarësinë është real. Si mund të merret një prind me fëmijën 3 vjeç në karrocë në rrugë dhe ti thuhet hajde me ne në mëngjes. Si mund ti tregohet dikujt nga dritarja? Ai është profesor është njeri i artit ka nderuar Shqipërinë nga ta dijë ai është burgu ai. Atje mund të përfundosh dhe mendo për djalin 3 vjeç. Ku jemi këtu ne dhe vijmë te standardet, si ka mundësi Ulsi, ministër i drejtësisë dhe ju të gjithë njerëzit e drejtësisë dhe ti kryetar i komisionit të financave që kjo shumicë ka miratuar fonde të paimagjinueshme, fondi i mbrojtjes dhe drjetësisë, paga që nuk krahasohen me pagat e askujt këtu, fonde që nuk janë parë kurrë në historinë e këtij shteti për drejtësinë dhe këta nuk kanë mjetet që të regjistrojnë intervistat me personat që marrin në pyetje. Ku jemi këtu ne? Në çdo film sa herë që dikush atje te dhoma e hetuesve e para i tregohen të drejtat dhe e dyta i shtypet regjistrimi, këtu Filip Çakulin të merrnin dhe ti bënin kontratë dhe ti thoshin hajde na ndihmo të regjistrojmë njerëzit që vijnë”.
Kryeministri Edi Rama tha se Partia Socialiste nuk do të qëndrojë pa kritikuar punën e organeve të reja të drejtësisë, pavarësisht se mbështet punën e saj.
“Dua ta bëj shumë të qartë që qëndrimi ynë lidhur me mbështetjen pa rezerva, lidhur me mbështetjen ndaj çdo procesi ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat kanë detyrën të bëjnë luftë pa kompromis kundër korrupsionit, mbetet qëndrim I pandryshuar. Ajo që ndryshon është që ne kemi detyrën të kontribuojmë jo thjesht me mbështetjen e padiskutueshme institucionale dhe politike ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, por edhe me opinionet tona në mënyrë që pavarësia e panegociueshme e prokurorëve e gjykatësve të jetë sa më e lidhur me profesionalizmin dhe garantimin e standardeve demokratike. Në të kundërt biem në një situatë që ngjan më shumë me të shkuarën se sa me të ardhmen. Sepse diktaturë apo republikë hetuesish, Shqipëria ka pasur në të shkuarën. Kjo është republikë parlamentare, ku pushtetet janë të pavarura”, tha Rama në mbledhjen e grupit parlamentar.
Sipas tij, sot në debatin publik ka vetëm dy palë: “Njëra që duartroket dhe brohoret sa herë që shfaqet “gijotina”. Sipas asaj pale të gjithë janë për burg, për litar, për t’u vrarë dhe tjetra është pala që sulmon në mënyrë banditeske organet e reja të drejtësisë dhe që shënjestron me “libër shpie” prokurorët dhe gjykatësit që bëjnë punën e tyre, duke filluar nga drejtuesi i SPAK-ut, i cili ka gjithë mbështetjen dhe solidaritetin tonë për sa i përket gjithë baltës që ka marrë dhe merr familjarisht. Por mungon një palë konstruktive që duhet të jetë garantë e pavarësisë së gjyqësorit, por duhet të jetë edhe garantë e lirive dhe të drejtave e standardeve demokratike. Sepse siç thashë, përndryshe biem në kurthin e të kaluarës”, deklaroi Rama.
“Për mua është e pakonceptueshme që kryetarja e komisionit të ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë, pa hyrë fare në meritën e çështjes, pa marrë parasysh nëse ka akuza në atë “roman” 400-faqësh, e merr vesh nga televizori dhe gazetarët specialë. Se kemi Prokurori Speciale, Gjykatë Speciale dhe gazetarë specialë. Kjo forcë politike nuk do të marrë përsipër të japë pafajësi për askënd që hetohet nga drejtësia, por ama, ndryshe nga deri dje, sot e tutje kjo forcë politike nuk do të heshtë përballë shkeljeve flagrante të standardeve dhe brutalitetit të kujtdo qoftë. Vetëm një idiot mund të thotë se ne kontrollojmë drejtësinë. Kemi marrë zyrtarisht certifikatën që duart tona janë larg drejtësisë. Por ama nuk jemi hunj gardhi që të mos themi asgjë kur biem në gjurmë – me ose pa dashje – të episodeve si ky. Minimalisht, kryetarja e komisionit të ligjeve duhej thirrur dhe duhej pyetur. Ku jemi këtu?”, deklaroi kryeministri Rama para deputetëve socialistë. a.b











